- 04.03.2026
Pesha trupore, të ushqyerit, aktiviteti fizik dhe determinantat sociale të obezitetit tek fëmijët
Gjetjet e studimit të Nismës Evropiane për Ndjekjen e Obezitetit tek Fëmijët (COSI) flasin për sfida serioze lidhur me ushqyerjen dhe peshën trupore tek fëmijët nga 6 deri në 9 vjet në Maqedoninë.
Pesha trupore
31,2% e fëmijëve janë mbipeshë, ndërsa 13,7% e tyre jetojnë me obezitet – që është mbi mesataren e Rajonit Evropian, 25% dhe 11%, përkatësisht.
Mbipesha dhe obeziteti janë më të shpeshta tek djemtë se sa tek vajzat.
Zakonet e të ushqyerit
Vetëm 25% e fëmijëve konsumojnë fruta të freskëta për çdo ditë – ky është konsumi më i ulët ditor i frutave në të gjithë Rajonin Evropian.
20% konsumojnë perime të freskëta çdo ditë – që, gjithashtu, është ndër nivelet më të ulëta në Evropë.
Ushqime të njelmëta (snacks) konsumojnë 40% e fëmijëve – më së shumti krahasuar me vendet e përfshira në studimin COSI në Rajonin Evropian.
Më shumë se gjysma (51%) e fëmijëve rregullisht konsumojnë ushqime të ëmbla (snacks) tre ose më shumë ditë gjatë javës.
Aktiviteti fizik
40% e fëmijëve kalojnë më shumë se dy orë në ditë para ekraneve (televiziv apo atyre të pajisjeve elektronike).
63,3% e fëmijëve ecin ose përdorin biçikletën për të shkuar në shkollë; në mesin e fëmijëve që jetojnë në një distancë deri më 2 km këtë gjë e praktikojnë rreth 89%.
94% e fëmijëve për çdo ditë kanë të paktën një orë lojë aktive me një intensitet të moderuar ose të lartë.
48,2% merren me sport ose vallëzojnë në mënyrë aktive më shumë se dy orë në javë.
Shumica e fëmijëve, 88,6%, flejnë të paktën 9 orë gjatë natës.
Faktorët socialë dhe perceptimi i prindërve
Fëmijët me mbipeshë dhe obezitet jetojnë në familje në të cilat prindërit kanë nivel të ulët ose të mesëm të arsimimit formal.
Fëmijët që praktikojnë shprehi që e mbështesin shëndetin jetojnë me prindër që kanë shkallë më të lartë të arsimimit.
Tek prindërit ekziston një ndërgjegjësim i ulët për identifikimin e mbipeshës dhe obezitetit tek fëmijët e tyre. Më shumë se gjysmën e fëmijëve që jetojnë me mbipeshë dhe/ose obezitet, prindërit i kanë perceptuar ata si fëmijë me peshë trupore brenda kufijve të rekomanduar për "peshë normale trupore".
Përfundim
Këto rezultate e theksojnë nevojën emergjente për ndërhyrje sistemike në mjedisin shkollor dhe familjar të fëmijëve, me qëllim promovimin e rritjes dhe zhvillimit të tyre të shëndetshëm. Ndërhyrjet janë të nevojshme edhe në fusha të tjera. Reformulimi i ushqimit, informacionet lidhur me ushqimin, reklamimi, mjedisi urban dhe mundësia për praktikimin e lëvizjes së sigurt dhe aktivitetit fizik janë vetëm disa prej tyre.
