- 14.05.2026
Java e Ndërgjegjësimit për Kripën
Konsumimi i tepërt i kripës është një faktor i rëndësishëm rreziku për tensionin e lartë të gjakut, sëmundjet cerebrovaskulare dhe të veshkave. Organizata Botërore e Shëndetësisë rekomandon që konsumi ditor i kripës për popullatën e rritur të jetë më pak se 5 gramë.
Sipas vlerësimeve të Institutit të Shëndetit Publik, popullsia në Maqedoni konsumon mesatarisht rreth 11 g. kripë në ditë, që është më shumë se dyfishi i sasisë së rekomanduar ditore.
Përveç kësaj, analiza e 221 produkteve ushqimore nxorri në pah se përmbajtja e natriumit në shumicën e produkteve i tejkalon vlerat e rekomanduara të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
Përmbajtje më e lartë e kripës u konstatua tek:
• instant supat dhe makaronat;
• mishi i përpunuar dhe produktet e konservuara të mishit;
• ushqimet e njelmëta;
• produktet e qumështit;
• buka dhe produktet me drithëra.
Pjesa më e madhe e kripës së konsumuar vjen nga ushqime shumë të përpunuara, prandaj është veçanërisht e rëndësishme që konsumatorët t’i lexojnë me kujdes etiketat dhe të zgjedhin produkte me përmbajtje më të ulët të kripës.
Instituti i Shëndetit Publik rekomandon:
• kufizimin e ushqimeve shumë të përpunuara;
• uljen graduale të përdorimit të kripës gjatë përgatitjes së ushqimit;
• shmangien e kripës shtesë;
• përdorimin e bimëve dhe erëzave natyrale si alternativë për kripën;
• zgjedhjen e produkteve me përmbajtje më të ulët të kripës.
Ulja e konsumit të kripës është një nga masat më efektive dhe me ekonomike për përmirësimin e shëndetit publik dhe për zvogëlimin e rrezikut nga sëmundjet kronike joinfektive.

