- 19.06.2026
INFORMACION LIDHUR ME PARAQITJEN E NJË RASTI TË INFEKSIONIT ME VIRUSIN ZIKA NË MAQEDONI
Hyrje
Sëmundja e virusit Zika është një infeksion akut viral i shkaktuar nga virusi Zika, një arbovirus i gjinisë Flavivirus dhe familjes Flaviviridae.
Sëmundja transmetohet më shpesh përmes pickimit të mushkonjave të infektuara të llojit Aedes, të cilat janë aktive kryesisht gjatë ditës, më të shpeshta në rajonet tropikale dhe subtropikale, por transmetimi është gjithashtu i mundur përmes marrëdhënieve seksuale, vertikalisht nga nëna te fetusi gjatë shtatzënisë, si dhe përmes transfuzionit të gjakut.
Virusi për herë të parë u identifikua në Ugandë në vitin 1947 në një majmun të llojit resus makake, pas çka në vitet 1950 infeksione u konfirmuan u provuan në vende të tjera afrikane. Nga vitet 1960 deri në vitet 1980 infeksione sporadike tek njerëzit u konfirmuan në të gjithë Afrikën dhe Azinë, ndërsa nga viti 2007 epidemi të sëmundjes së virusit Zika janë raportuar në Afrikë, Amerikë, Azi dhe Paqësor. Që nga viti 2017 rastet e sëmundjes së virusit Zika kanë shënuar rënie në mbarë botën, por transmetimi vazhdon në nivele të ulëta në disa vende në Amerikë dhe në disa vende në Azi dhe Afrikë, ku janë dokumentuar edhe epidemi sporadike.
Pasqyra klinike
Periudha e inkubacionit për sëmundjen zakonisht zgjat nga 3-14 ditë. Pasqyra klinike është përgjithësisht e lehtë dhe karakterizohet nga simptoma që zakonisht zgjasin 2-7 ditë, edhe pse shumica e individëve të infektuar (afërsisht 80%) nuk zhvillojnë simptoma. Simptomat më të shpeshta:
· skuqje,
· ethe,
· konjuktivit,
· dhimbje koke,
· mialgji dhe artralgji.
Infeksioni me virusin Zika gjatë shtatzënisë mund të shkaktojë mikrocefali dhe deformime të tjera kongjenitale, si dhe lindje të parakohshme dhe abort spontan, si dhe mund të shoqërohet me sindromën Guillain-Barré, neuropati dhe mielit tek të rriturit dhe fëmijët, prandaj kjo sëmundje është me rëndësi për shëndetin publik. Deformimet kongjenitale ndodhin pas infeksionit simptomatik dhe asimptomatik.
Këto simptoma janë të zakonshme për sëmundjet e tjera arbovirusale dhe jo-arbovirusale; prandaj, diagnostikimi i infeksionit me virusin Zika kërkon konfirmim laboratorik.
Trajtimi i sëmundjes është simptomatik, nuk ka terapi ose vaksinë konkrete për ta parandaluar sëmundjen.
Informacion në lidhje me rastin e infeksionit me Zika
Më 17.06.2026 Njësia e virologjisë pranë ISHP-së pranoi informacion nga Departamenti i epidemiologjisë së sëmundjeve infektive pranë ISHP-së në lidhje me një gjetje konfirmuese pozitive të infeksionit me virusin Zika.
Pacienti u kontaktua nga epidemiologu përgjegjës, me ç’rast u propozuan masa adekuate parandaluese.
Të dhëna epidemiologjike
Sipas të dhënave epidemiologjike, personi i sëmurë ka qëndruar në Maldive në periudhën nga 20-28.05.2026. pacienti ka deklaruar se gjatë qëndrimit të tij atje është pickuar nga një mushkonjë. Menjëherë pas kthimit të tij, ai ka vizituar KSIGJF, ku është dyshuar për ethet Denga.
Pasqyra klinike
Shenjat e para të sëmundjes janë shfaqur më 24.05.2026 me ethe, dhimbje trupi - muskujsh dhe kyçesh, temperaturë të lartë të trupit, ndërsa katër ditë më vonë edhe skuqje e theksuar. Pacienti është ekzaminuar në KSIGJF, ndërsa analizat laboratorike për Denga, Zika dhe Chikungunya u kryen në Njësinë e Virologjisë në ISHP. Rezultatet e analizave mikrobiologjike dolën pozitive serologjike dhe molekulare për virusin Zika.
Pacienti nuk është shtruar në spital, është dërguar për trajtim shtëpiak dhe aktualisht është në gjendje të mirë të përgjithshme.
Vlerësimi i rrezikut:
Ky është rasti i parë i regjistruar i infeksionit me virusin Zika në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Edhe pse bëhet fjalë për një rast të importuar, për shkak të transportit intensiv ndërkombëtar dhe trendeve në rritje të udhëtimeve drejt destinacioneve turistike tropikale si Maldivet, Tailanda, Indonezia, Brazili, rajoni i Karaibeve dhe zona të tjera ku ka qarkullim të dokumentuar të virusit Zika, ekziston një mundësi reale për raste të reja të importuara. Një faktor shtesë rreziku është shpërndarja e gjerë e mushkonjës Aedes albopictus (mushkonja tigër aziatike) në disa vende evropiane, e cila është një vektor potencial për transmetimin e virusit Zika.
Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC) regjistron vazhdimisht raste të Zikës tek njerëz që janë infektuar gjatë një qëndrimi në zonat endemike. ECDC i monitoron këto raste, ndërsa nga OBSH thonë se prania e Aedes albopictus në pjesë të Evropës krijon potencial për transmetim lokal nëse virusi futet nga një udhëtar i infektuar.
Ekziston mundësia e raportimit të mëtejshëm të rasteve të reja gjatë periudhës së aktivitetit të mushkonjave për njerëzit që udhëtojnë në rajonet e prekura dhe rreziku për këta njerëz vlerësohet si i ulët deri në i moderuar. Rreziku për popullatën në RMV aktualisht vlerësohet si i ulët.
Rreziku mund të reduktohet ndjeshëm duke i zbatuar masat parandaluese të rekomanduara për t'u mbrojtur nga pickimet e mushkonjave dhe duke iu përmbajtur masave dhe këshillave parandaluese të rekomanduara.
Masat e ndërmarra:
1. Është realizuar një anketë epidemiologjike për personin e sëmurë.
2. Është dorëzuar raport për një agjent shkaktar të izoluar/të dëshmuar ndryshe të një sëmundjeje infektive.
3. Dezinsektimi është kryer sipas indikacioneve epidemiologjike në afërsi të vendbanimit të personit të sëmurë.
4. Janë dhënë këshilla për parandalimin e transmetimit seksual të sëmundjes.
Masat e rekomanduara:
1. Për ta parandaluar dhe kontrolluar sëmundjen, është e nevojshme të edukohet popullata rreth sëmundjes, mënyrave të transmetimit dhe mundësive për parandalim përmes zhvillimit të materialeve adekuate edukative.
2. Është e nevojshme të njoftohen mjekët e mbrojtjes shëndetësore primare dhe specialistët e sëmundjeve infektive rreth shfaqjes së sëmundjes, në mënyrë që ta përfshijnë atë në të menduarit diagnostik diferencial në çdo gjendje febrile të shoqëruar me skuqje tek personat që kanë qëndruar në zona me rrezik të infeksioneve arbovirus, ta marrin parasysh mundësinë e infeksionit me virusin Zika dhe ta raportojnë atë menjëherë tek shërbimet kompetente.
3. Informimi në kohë i shërbimeve shëndetësore për dyshimin dhe konfirmimin e infeksionit me virusin Zika nga mjeku që e ka diagnostikuar sëmundjen.
4. Zbatimi i planifikuar i aktiviteteve DD (në përputhje me planin e dorëzuar në komunë), si dhe dezinfektimi sipas indikacioneve epidemiologjike.
5. Konsultimi para udhëtimit në destinacione tropikale ose subtropikale me shërbimet epidemiologjike të Qendrave përkatëse të Shëndetit Publik me qëllim marrjen e informacionit të duhur dhe këshillave parandaluese mbi sëmundjet e transmetuara nga vektorët në rajonin ku udhëtojnë.
6. Rekomandime për mbrojtje nga pickimet e mushkonjave:
₋ përdorimi i repelentëve gjatë qëndrimit në mjedis të hapur
₋ veshja e rrobave me mëngë të gjata dhe pantallonave të gjata
₋ instalimi i rrjetave mbrojtëse në dritare dhe dyer
₋ shmangia e aktiviteteve të panevojshme në natyrë në agim dhe muzg kur aktiviteti i mushkonjave është më i lartë
₋ moslejimi i grumbullimit të ujit të ndenjur (oborre, fuçi, goma, lodra, etj.)
Qytetarët që shfaqin simptoma pas pickimit të mushkonjës, sidomos ethe, dhimbje koke, skuqje ose simptoma neurologjike, sidomos nëse janë kthyer nga një udhëtim në destinacione tropikale dhe subtropikale, duhet të kërkojnë menjëherë ndihmë mjekësore.
Departamenti i epidemiologjisë së sëmundjeve infektive pranë ISHP-së është në komunikim me Qendrën e Shëndetit Publik kompetente dhe e ndjek situatën, ndërsa nëse ka ndonjë ndryshim, do informojë në përputhje me rrethanat.
Departamenti i epidemiologjisë së sëmundjeve infektive
Instituti i Shëndetit Publik i Republikës së Maqedonisë së Veriut