• 09.11.2023

Nëntori – Muaji i shëndetit të meshkujve


Aktivitetet e muajit nëntor – muajit të shëndetit të meshkujve, kanë për qëllim të rrisin ndërgjegjësimin për problemet shëndetësore me të cilat përballen të gjithë meshkujt gjatë jetës së tyre, si dhe për rreziqet e mundshme dhe cilave gjëra duhet tu kushtojnë vëmendje për t’i shmangur pasojat e padëshiruara. Jeta moderne është përplot me stres, shumë presion nga shoqëria, gjë që ndikon në shëndetin dhe cilësinë e jetës. Përveç kësaj, disa gjendje që në të shumtën e rasteve mund të parandalohen mund të shkaktojnë vdekje të parakohëshme të meshkujve, ose të rrezikojnë rëndë shëndetin e tyre.

Këtë vit fokusi i aktiviteteve në kuadër të fushatës “Nëntori – Muaji i Shëndetit të Meshkujveështë tek ndërgjegjësimi për kancerin e prostatës, kancerin e testikujve dhe shëndetin mendor.

Kanceri i prostatës është sëmundja malinje më e shpeshtë që prek popullatën mashkullore në mbarë botën. Prostata është një organ gjëndror pjesë e sistemit riprodhues mashkullor që ka madhësinë dhe formën e një arre. Me kalimin e moshës  prostata ka tendencë të zmadhohet dhe të ndryshojë formën. Këto ndryshime mund të shkaktojnë vështirësi në urinim, si urinim të shpeshtë, urinim gjatë natës, ndjenjë të zbrazjes jo të plotë, dhimbje gjatë urinimit, pra këto janë simptomat e para që shfaqen nëse ka problem me prostatën. Nëse simptomat janë më intensive, dhimbja është më e fortë dhe ka gjakderdhje gjatë urinimit, kjo mund të jetë indikator për kancer të prostatës.

Prandaj, të gjithë meshkujt në mënyrë aktive duhet të kujdesen për shëndetin e tyre dhe të ndjekin rekomandimet e punonjësve shëndetësorë. Kjo është e një rëndësie të veçantë sidomos për ata meshkuj që bëjnë pjesë në grupin me rrezik të lartë nga kanceri i prostatës, siç janë meshkujt që:

-janë më në moshë

-kanë histori familjare të sëmundjeve të prostatës

-nuk janë fizikisht aktiv

-kanë shprehi të këqija (pijnë duhan, alkool, droga, janë nën stres)

 

Për t’i reduktuar efektet e faktorëve të rrezikut meshkujt duhet të:

-bëjnë jetë të shëndetshme - të konsumojnë ushqim të shëndetshëm, të bëjnë aktivitet fizik, e kështu ta zvogëlojnë rrezikun nga kjo sëmundje

-bëjnë kontrolle të rregullta - zbulimi i hershëm i kancerit të prostatës mundëson intervenim të hershëm dhe shërim të plotë për shumë pacientë. Prandaj, kontrollet e rregullta tek urologu janë qenësore për meshkujt në moshë mbi 40 vjet.

-ngrihet vetëdijësimi dhe të edukohen për të gjitha problemet potenciale që janë më të shpeshta tek meshkujt - të ndiqen në mënyrë aktive rekomandimet e punonjësve shëndetësorë.

 

Trajtimi i kësaj sëmundjeje mund të bëhet vetëm me kontrolle të rregullta dhe monitorim aktiv, por, nëse është e nevojshme, mund të kryhet edhe ndërhyrje kirurgjikale e shoqëruar me kimioterapi dhe radioterapi.

Kanceri i testikujve është një gjendje e rrallë që prek meshkujt e çdo grupmoshe, por më së shpeshti shfaqet te meshkujt mbi 56 vjeç. Në të shumtën e rasteve (më shumë se 95%) diagnoza e kancerit të testikujve nënkupton trajtim dhe një rezultat të mirë. Fatkeqësisht, një numër i vogël i meshkujve nuk e kanë fatin të kenë një rezultat të mirë dhe duhet bërë më shumë për t’i mbështetur këta meshkuj gjatë diagnostikimit dhe trajtimit, në mënyrë që ata të mund të jetojnë jetë të gjatë dhe të shëndetshme.

Faktorë të rrezikut për shfaqjen e kancerit të testikujve janë :

- Historia familjare e kancerit të testikujve

- Infeksionet kronike të patrajtuara të sistemit reproduktiv

- Testikuj të pazbritur (kriptokizëm)

- Mënyra jo e shëndetshme e jetës

 

Simptomat më së shpeshti shfaqen në formën e ënjtjes dhe dhimbjes në testikuj.

Për ta parandaluar këtë sëmundje meshkujt duhet të bëjnë vetëkontrolle rregullta. Nëse kanë dhimbje ose ndonjë ënjtje në zonën e testikujve, duhet ta kontaktojnë menjëherë mjekun. Sepse zbulimi i hershëm i sëmundjes nënkupton trajtim dhe shërim të lehtë.

Trajtimi varet nga madhësia dhe niveli i ndryshimit. Ai mund të jetë thjesht një monitorim i gjendjes, por gjithashtu mund të përfshiedhe trajtim kirurgjikal të shoqëruar me kimioterapi ose radioterapi.

Krahas  këtyre gjendjeve të çrregullimit të shëndetit fizik të meshkujve, është shumë e rëndësishme t'i kushtohet vëmendje edhe shëndetit mendor të meshkujve. Me stilin e jetesës moderne meshkujt përballen me sfida të shumta gjatë aktiviteteve të tyre të përditshme, të cilat mund të ndikojnë në shëndetin e tyre mendor. Rezultatet e shëndetit të dobët mendor mund të jenë vdekjeprurëse. Meshkujt, pavarësisht nga mosha, shpesh nuk mund të dallojnë se janë duke përjetuar probleme të shëndetit mendor dhe mund të mos e ndjejnë nevojën për të kërkuar ndihmë. E vërteta është se disa forma stereotipike të maskulinitetit u kushtojnë jetë atyre.

Ne përpiqemi t'i ndihmojmë burrat të jenë të shëndetshëm mentalisht me strategji:

- Për t’i ndihmuar ata të zhvillojnë modele të suksesshme strategjike për përmirësimin e shëndetit mendor dhe mirëqenies së meshkujve.

- Për t’i sfiduar aspektet negative të maskulinitetit dhe ndikimin që mund ta kenë ndaj shëndetit mendor.

- Për t’i inkurajuar meshkujt qëruajnë komunikimin me miqtë dhe familjen.

- Për t’i inkurajuar ata që të flasin për shëndetin mendor jashtë sistemit shëndetësor (p.sh. në klube sportive ose vende pune).

 

Që të jemi të shëndetshëm dhe që të kemi një jetë të gjatë dhe të lumtur, ne duhet të kujdesemi për veten. Çelësi për arritjen e këtij qëllimi është ndjekja e rekomandimeve nga fushatat shëndetësore. Por më e rëndësishmja nga të gjitha është se nëse keni vështirësi, gjithmonë është mirë të kërkoni ndihmë profesionale, sepse kjo është mënyra më e lehtë dhe më e mirë për t’i zgjidhur problemet me të cilat përballeni.