• 21.01.2025

Janari – Muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e qafës së mitrës


 

Janari është muaji i kushtuar ndërgjegjësimit për kancerin e qafës së mitrës – një nga llojet më të shpeshta dhe më të parandalueshme të kancerit tek gratë. Kanceri i qafës së mitrës zhvillohet ngadalë, gjë që mundëson zbulimin e hershëm të tij përmes kontrolleve të rregullta gjinekologjike dhe testeve të skriningut, si testi PAP dhe testi për Human papillomavirus (HPV).

Çfarë e shkakton kancerin e qafës së mitrës?

Shkaku kryesor është infeksioni me HPV, virus seksualisht i transmetueshëm. Edhe pse numri më i madh i infeksioneve me HPV janë të padëmshme dhe zhduken spontanisht, disa lloje të virusit mund të shkaktojnë ndryshime papakanceroze ose kancer (HPV 16, 18, 31, 33, 35, 39, 45, 51, 52, 56, 58 dhe 59).

Përveç HPV-së si shkaktari më i shpeshtë, faktorë të tjerë që e rrisin rrezikun e zhvillimit të kësaj sëmundjeje janë:

Fillimi i hershëm i marrëdhënieve seksuale – Ekspozim më i madh ndaj virusit HPV në një moshë më të re.

Numri më i madh i partnerëve seksual – Rritja e rrezikut të infeksioni me HPV.

Sistemi i dobët imunologjik– Aftësia e zvogëluar e trupit për t’i luftuar infeksionet e rrit rrezikun.

Pirja e duhanit – Kimikaliet në duhan mund të kontribuojnë në zhvillimin e kancerit në nivel qelizor.

Si mund të parandalohet kanceri i qafës së mitrës?

  1. Vaksinimi kundër HPV – Kjo është mënyra më efektive e parandalimit. Vaksina rekomandohet për vajzat dhe djemtë që në moshë të re.
  2. Skrining i rregullt – gratë duhet ta bëjnë rregullisht testin PAP dhe testin për HPV, sipas rekomandimeve të mjekut të tyre.
  3. Praktika seksuale të sigurta – Përdorimi i mjeteve mbrojtëse e zvogëlon rrezikun nga infeksioni me HPV.

Simptomat e kancerit të qafës së mitrës

Në fazat e hershme, ky kancer shpesh nuk ka simptoma. Por në fazat e avancuara mund të shkaktojë:

  • Gjakderdhje anormale vagjinale ndërmjet ciklit menstrual, pas menopauzës ose pas marrëdhënieve seksuale
  • Dhimbje gjatë marrëdhënieve seksuale
  • Dhimbje në kurriz, këmbë ose këllqe
  • Sekrecione vagjinale të pazakonta me erë të pakëndshme
  • Humbje peshe, humbje oreksi e shoqëruar me debulesë dhe plogështi të trupit
  • Ënjtje në këmbë

Zbulimi i hershëm dhe trajtimi në kohë e rrisin ndjeshëm mundësinë për shërim.

Si zbatohen testet e skriningut?

  • Testi PAP (Testi i Papanikollao): Ky test është i shpejtë dhe pa dhimbje. Mostra e qelizave të qafës së mitrës analizohet për të zbuluar ndryshimet që mund të shkaktojnë kancer.
  • Testi HPV: E zbulon praninë e llojeve të HPV me rrezik të lartë që lidhen me kancerin.

Kryerja e rregullt e këtyre testeve, sipas rekomandimeve kombëtare dhe globale, është çelësi për zbulimin e hershëm të ndryshimeve parakanceroze.


Rëndësia e vaksinimit kundër HPV

Vaksina kundër HPV rekomandohet për:

  • Vajzat dhe djemtë në moshë nga 9 deri në 14 vjet, përpara fillimit të aktivitetit seksual.
  • Personat nën 26 vjet që nuk janë vaksinuar në fëmijëri.

Vaksina kundër HPV-së është e sigurt dhe efektive dhe redukton në mënyrë të ndjeshme rrezikun e zhvillimit të kancerit të qafës së mitrës dhe sëmundjeve të tjera të lidhura me HPV-në.


Trajtimi dhe kujdesi për të sëmurët

Trajtimi për kancerin e qafës së mitrës varet nga faza e sëmundjes:

  • Faza e hershme: Ndërhyrje kirurgjikale ose procedura minimale invazive.
  • Faza më të vonshme: Kombinimi i radioterapisë dhe kimioterapisë.

Mbështetja për gratë që kalojnë nëpër këtë përvojë është po aq e rëndësishme sa edhe trajtimi mjekësor. Grupet për mbështetje, ndihma psikologjike dhe mbështetja sociale luajnë një rol kyç në përmirësimin e cilësisë së jetës.

 

Gjendja në Maqedoni

Sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik në Maqedoni numri i rasteve të reja me kancer të qafës së mitrës në vitin 2022 ka qenë 173, ndërsa numri i vdekjeve nga kjo sëmundje ka qenë 66.

Në periudhën 10-vjeçare nga viti 2013 deri në vitin 2022, incidenca mesatare e kësaj sëmundjeje ka qenë 9,2 për 100.000 gra, ose rreth 170 raste të reja çdo vit, duke e bërë kancerin e qafës së mitrës sëmundjen e 6 malinje më të shpeshtë tek gratë.

Sipas të dhënave për mortalitetin, ai është 2,9 vdekje për 100.000 gra, ose mesatarisht 52 gra që gjatë kësaj periudhe vdesin nga kanceri i qafës së mitrës.

Me kontrolle të rregullta dhe me kujdes të mirë për shëndetin, të gjitha këto vdekje mund të shmangen, pasi skriningu i mirë dhe zbulimi i hershëm i të gjitha rasteve mundëson një trajtim efektiv dhe shmangien e shumë vdekjeve.

 

Përgatiti: Departamenti i promovimit të shëndetit dhe i mbikëqyrjes së sëmundjeve