• 21.05.2026

Informacion për Ebolën


 EBOLA

 

ETIOLOGJIA

Ebola është një sëmundje e shkaktuar nga virusi Ebola, i cili i përket familjes Filoviridae. Deri më sot janë zbuluar 6 lloje të virusit Ebola, 4 lloje nga të cilat shkaktojnë sëmundje tek njerëzit: virusi Ebola Zaire, Sudan, Bundibugio dhe Tai Forest, ndërsa dy llojet e tjera Reston dhe Bombali nuk shkaktojnë sëmundje tek njerëzit.

Edhe pse e rrallë, sëmundja mund të shkaktojë epidemi me një shkallë të lartë vdekshmërie, e cila mesatarisht është rreth 50%.

 

SHPËRNDARJA GJEOGRAFIKE

Ebola është regjistruar në Afrikën Qendrore dhe Perëndimore, pranë pyjeve tropikale.

Që nga viti 1976 në Afrikë kanë ndodhur më shumë se 40 epidemi të Ebolës. Vendet më të prekura kanë qenë:

• Republika Demokratike e Kongos

• Uganda

• Guinea

• Liberia

• Sierra Leone

• Sudani

 

Epidemia më e madhe është regjistruar në Afrikën Perëndimore (2014–2016), me më shumë se 28.000 raste dhe mbi 11.000 vdekje.

Në vitet e fundit epidemitë e Ebolës janë përsëritur në Republikën Demokratike të Kongos dhe Ugandë, si dhe një epidemi në Kongon lindore në vitin 2018, në Kasai (Republika Demokratike e Kongos) në vitin 2025 dhe epidemia aktuale në Republikën Demokratike të Kongos dhe Ugandë në vitin 2026.

 

REZERVUARI DHE BURIMI I INFEKSIONIT

 

Rezervuar natyror i virusit Ebola është një specie e lakuriqëve të natës që ushqehen me fruta, në të cilin virusi mund të qarkullojë pa shkaktuar sëmundje të rëndë.

Përveç lakuriqëve të natës burime infeksioni mund të jenë edhe primatët, antilopat, iriqët dhe kafshë të tjera të egra.

 

MËNYRAT E TRANSMETIMIT

 

Sëmundja mund të shfaqet tek njerëzit dhe primatët e tjerë. Virusi transmetohet tek njerëzit nga kafshët e egra gjatë gjuetisë, përpunimit të mishit nga kafshët e infektuara, kontaktit me gjakun, indet dhe organet e tyre gjatë procesit të përpunimit të mishit dhe sekrecioneve të tyre. Virusi më pas përhapet tek popullata humane nëpërmjet kontaktit të drejtpërdrejtë me gjakun, sekrecionet, organet ose lëngjet e tjera trupore të personave të infektuar, si dhe indirekt nëpërmjet kontaktit me sipërfaqet dhe materialet (p.sh., shtratin, veshjet) e kontaminuara me këto lëngje.

Transmetimi nga kafsha te njeriu është shumë i rrallë. Shumica e rasteve ndodhin nëpërmjet kontaktit me gjakun, sekrecionet, indet, organet ose lëngjet e tjera trupore të personave të infektuar të gjallë ose të vdekur, kur sekrecionet infektive bien në kontakt me sytë, gojën, hundën ose plagët e hapura, për shembull gjatë kujdesit të pambrojtur të të sëmurëve në një mjedis shtëpiak ose spitalor ose gjatë varrimeve rituale të individëve të infektuar. Transmetimi nga njeriu te njeriu është mekanizmi dhe rruga kryesore e transmetimit gjatë epidemive të sëmundjes. Është e rëndësishme të theksohet se sëmundja mund të transmetohet edhe nëpërmjet kontaktit seksual të pambrojtur me njerëz që janë shëruar nga sëmundja. Virusi mbijeton shumë më gjatë në spermën e burrave (ndonjëherë deri në 15 muaj) sesa te gratë, zakonisht deri në 1 muaj në sekrecionet vaginale. Virusi gjithashtu mund të mbijetojë për një periudhë më të gjatë në placentë dhe në qumështin e gjirit.

 

PASQYRA KLINIKE

 

Simptomat e sëmundjes zakonisht shfaqen brenda 2 deri në 21 ditëve nga infektimi, me çrast në fazën fillestare - ditët e para të sëmundjes shfaqen ethe, debulesë e përgjithshme, dhimbje muskujsh dhe kyçesh, dhimbje koke, dhimbje fyti, ndërsa më vonë në fazën e dytë, anoreksi, diarre, dhimbje barku, të vjella, skuqje në trup, sy të skuqur, simptoma neurologjike si konfuzion, kollë, dhimbje gjoksi, gulçim, çrregullim i funksionit të veshkave dhe i mëlçisë. Mund të shfaqet edhe gjakderdhje e jashtme dhe e brendshme (diarre me gjak, gjakderdhje nga hunda, të vjella me gjak, gjakderdhje e brendshme dhe mavijosje).

Në fazën përfundimtare të sëmundjes pacientët vdesin për shkak të një kombinimi të dështimit të shumë organeve dhe shokut hipovolemik të shkaktuar nga humbja e rëndë e gjakut.

Një person i infektuar me Ebola nuk mund ta përhapë sëmundjen derisa të zhvillojë simptoma.

Rreziku nga infektimi konsiderohet i ulët nëse ndiqen masat e parandalimit dhe kontrollit të infeksionit.

 

DIAGNOSTIKIMI LABORATORIK

 

Mostrat e përdorura për diagnozë janë gjaku, strishot orale ose pjesët e indeve - të marra gjatë autopsisë. Mund të përdoren edhe lloje të tjera të sekrecioneve dhe jashtëqitjeve, por në përgjithësi nuk përdoren shpesh për shkak të rrezikut më të lartë biologjik gjatë punës me to dhe për shkak të përqendrimit të paqëndrueshëm të virusit në to.

Metodat laboratorike për diagnostikim janë RT-PCR, testet e shpejta të antigjenit dhe ELISA.

Në rast dyshimi klinik për një person të infektuar me Ebola në Republikën e Maqedonisë, ISHP organizon transportin e mostrës në një laborator referent në Evropë, në përputhje me udhëzuesin e OBSH-së për trajtimin dhe transportin e mostrave infektive të kategorisë A.

 

ТЕRAPIА 

 

Terapia konkrete të miratuar ka vetëm për virusin Ebola Zaire - trajtim me antitrupa monoklonalë mAb114 (ansuvimabTM) ose REGN-EB3 (InmazebTM), ndërsa për viruset e tjerë të Ebolës, terapia është jokonkrete dhe mbështetëse.

 

PARANDALIMI

 

Kundër virusit Ebola të Zairesë janë miratuar dy vaksina për përdorim në shumë vende, por nuk ka vaksina të disponueshme kundër viruseve të tjera të Ebolës.

Për ta parandaluar infeksionin, rekomandohet që të:

shmangni:

- habitatet ku mund të jenë të pranishme viruset Ebola

- konsumimin e gjahut të egër

- kontaktin e ngushtë me kafshët e egra në zonat ku mund të jenë të pranishme viruset Ebola

- udhëtimet e panevojshme në rajonet e prekura nga epidemia

- kontaktin me njerëz të dyshimtë dhe të sëmurë

ruani higjienën personale, veçanërisht të duarve

praktikoni praktika të sigurta varrimi

 

Masat preventive në institucionet shëndetësore përfshijnë:

Detektimin dhe izolimin e hershëm

Numër të caktuar të personelit që do të jetë në kontakt me pacientin

PMP - doreza mbrojtëse (me dy shtresa)

- veshje mbrojtëse të papërshkueshme nga uji

- maska (FFP2/FFP3 ose sistemi PAPR)

- mbrojtje për sytë/vizore

- çizme dhe përparëse

- monitorim i rreptë i veshjes dhe zhveshjes së duhur

- higjienë dhe dezinfektim me tretësira klori,

- higjienë rigoroze e duarve para dhe pas kontaktit

- manipulim i sigurt me pajisjet mjekësore

Mbledhja dhe përpunimi i sigurt i mostrave:

- numri minimal i analizave të nevojshme

- përdorimi i sistemeve të mbyllura kur është e mundur

- paketim mbrojtës trefish i mostrave të marra

- transporti sipas klasës së sigurisë biologjike - kategoria A

Trajtimi i duhur i mbeturinave mjekësore

- trajtimi si mbeturina infektive me rrezik të lartë

- autoklavimi ose djegia

- asgjësimi i sigurt i gjilpërave dhe mjeteve të mprehta

Trajnim adekuat i personelit mjekësor

- masat e parandalimit dhe kontrollit të infeksioneve

- akses i kufizuar në repartet e izolimit

- monitorimi i ekspozimit midis punonjësve të shëndetësisë

- sistemi i raportimit të incidenteve

 

Masat më të rëndësishme për parandalimin e Ebolës janë zbulimi i hershëm, gjurmimi i kontakteve, izolimi i rreptë (karantina) dhe përdorimi i vazhdueshëm i pajisjeve mbrojtëse personale, veçanërisht në institucionet shëndetësore.

 

GJENDJA EPIDEMIOLOGJIKE AKTUALE

 

Më 15 maj të vitit 2026 në Republikën Demokratike të Kongos - rajoni administrativ Ituri, u shpall epidemi e Ebolës, epidemia e shtatëmbëdhjetë radhazi në vend. Numri i rasteve ka ndryshuar me shpejtësi sepse bëhet fjalë për një epidemic aktive.

Kjo epidemi është shkaktuar nga virusi Bundibugyo Ebola, një formë e rrallë e sëmundjes për të cilën nuk ka një trajtim konkret të miratuar, as vaksinë të disponueshme gjerësisht për këtë lloj, dhe është më e vështirë për t'u kontrolluar, veçanërisht në rajonet e varfra dhe të prekura nga konflikti, siç është rajoni Ituri, i cili është i paqëndrueshëm, ka qindra mijëra njerëz të zhvendosur, ndërsa ekipet shëndetësore e kanë vështirë për tu qasur, që do të thotë zbulim dhe gjurmim më i ngadaltë i kontakteve të personave të infektuar.

 

Rajonet ku janë regjistruar persona të infektuar janë:

RD e Kongos:

• Mongbwalu

• Rwampara

• Bunia

• Kivu Verior me Goman

 

Uganda:

• Kampala

 

Është regjistruar përhapje në zonat urbane - në qytetet më të mëdha (p.sh. Kampala) - gjë që e rrit rrezikun e përhapjes rajonale, dy rastet në Ugandë kanë një histori udhëtimesh të mëparshme në RD të Kongos.

Janë regjistruar punonjës shëndetësorë të sëmurë dhe janë raportuar vdekje midis personelit mjekësor, gjë që sinjalizon për dobësi në përdorimin e masave preventive.

Më 17.05.2026 OBSH shpalli një emergjencë shëndetësore publike me shqetësim ndërkombëtar (PHEIC), që do të thotë: rrezik i përhapjes ndërkombëtare, por situata aktuale e sëmundjes nuk i plotëson kriteret për një gjendje emergjence pandemike.

Për shkak të shpalljes së fundit të epidemisë dhe pasigurive që lidhen me informacionin epidemiologjik, ekziston mundësia që epidemia të jetë shumë më e madhe se ajo që raportohet aktualisht, jo vetëm për sa i përket numrit të rasteve të prekura, por edhe për sa i përket shtrirjes së saj gjeografike.

Sipas vlerësimeve të fundit të ECDC rreziku i Ebolës në BE/EEA është shumë i ulët. Mundësia e infeksionit për njerëzit nga BE/EEA që jetojnë ose udhëtojnë në Ituri vlerësohet të jetë e ulët. Për njerëzit që jetojnë në BE/EEA gjasat e infeksionit vlerësohen të jenë shumë të ulëta, duke pasur parasysh gjasat shumë të ulëta të importimit dhe transmetimit dytësor. Vlerësimi do të përditësohet sapo të vihen në dispozicion informacione shtesë.

ECDC konsideron se skriningu i udhëtarëve që kthehen nga zonat e prekura (RDK, Uganda) nuk do të ishte një masë efektive për parandalimin e depërtimit në Evropë. Ky shqyrtim bazohet në mësimet dhe rezultatet e shpërthimit të madh të Ebolës në Afrikën Perëndimore midis viteve 2013 dhe 2016, ku u raportuan dhjetëra mijëra raste. Skriningu i udhëtarëve që vijnë kërkon kohë dhe burime, ndërsa nuk do t’i identifikojë në mënyrë efektive rastet e infektuara. Në vend të kësaj, përvoja dhe provat tregojnë se skriningu në dalje mund të jetë një masë efektive për ta mbështetur kufizimin e përhapjes së sëmundjes.

OBSH dhe Qendra Evropiane për Kontrollin e Sëmundjeve vazhdimisht e monitorojnë epideminë aktuale dhe ofrojnë informacion në kohë.

Instituti i Shëndetit Publik mbetet në komunikim të vazhdueshëm me rrjetet ndërkombëtare shëndetësore për paralajmërim dhe reagim të hershëm, e monitoron vazhdimisht situatën dhe do ta informojë menjëherë publikun për të gjitha gjetjet e reja, vlerësimet e rrezikut dhe rekomandimet e mundshme.

  

Departamenti i epidemiologjisë së sëmundjeve ngjitëse

Instituti i Shëndetit Publik i RMV-së